fbpx
E Fundit

 – Kursi i plotë i “Matematikës” me 50 orë mësimore video të regjistruara, nga 5000 LEK, ju e përfitoni për 3500 LEK! (së bashku me Testet)

12. Parimi La Shatelie – Teori, Formula dhe Ushtrime të Zgjidhura | Kimia për Maturën Shtetërore

Parimi La Shatelie

Faktorët që ndikojnë në vendosjen e gjendjes së ekuilibrit në një reaksion të prapësueshëm janë:
1. Përqendrimi i substancave në ekuilibër
2. Temperatura
3. Trysnia

Gjendja e ekuilibrit mbetet e pandryshuar për aq kohë sa nuk ndryshojnë këto tre faktorë. Ndryshimi i të paktën njërit prej tyre e prish gjendjen e ekuilibrit dhe reaksioni do të zhvillohet derisa do të vendoset një gjendje e re ekuilibri. Për të përcaktuar kahun në të cilin zhvendoset reaksioni për të rivendosur gjendjen e ekuilibrit, shërben parimi La Shatelie: “Nëse ndryshoj një nga faktorët në të cilët është vendosur gjendja e ekuilibrit kimik. Ekuilibri prishet dhe rivendoset përsëri në atë drejtim reaksioni që kundërshton ndryshimin e bërë.”

1. Faktori përqendrim: Nëse rrisim përqendrimin e njërit prej reaktantëve ose zvogëlojmë përqendrimin e njërit prej produkteve, ekuilibri zhvendoset duke favorizuar reaksionin e drejtë. Nëse zvogelojmë përqendrimin e reaktantëve ose rrisim përqendrimin e produkteve, ekuilibri zhvendoset duke favorizuar reaksionin e zhdrejtë.
2. Faktori temepraturë: Në një ekuilibër kimik, dy reaksionet në gjendjen e ekuilibrit kanë efekt të kundërt termik, dmth., nëse njëri është ekzotermik, i kundërti është endotermik. Si rezultat, nëse rrisim temperaturën e një sistemi në ekuilibër, ekuilibri zhvendoset në drejtimin që favorizon reaksionin endotermik. Nëse ulim temperaturën e një sistemi në ekuilibër, ekuilibri zhvendoset në drejtimin që favorizon reaksionin ekzotermik.
3. Faktori trysni (vëllim): Që të ndikojë ky faktor në sistemin në ekuilibër duhet të plotësohen dy kushte:
a) Në sistem të kemi substanca të gazta.
b) Numri i moleve të gazeve në të dy anët e ekuilibrit të jetë i ndryshëm. Nëse rrisim trysninë në sistem (zvogëlojmë vëllimin), ekuilibri zhvendoset në drejtim të reaksionit që zvogëlon numrin e moleve të gazeve. Nëse zvogëlojmë trysninë (rrisim vëllimin), ekuilibri zhvendoset në drejtim të reaksionit që rrit numrin e moleve të gazeve.

USHTRIME TË ZGJIDHURA 

Ushtrimi 1: Jepet reaksioni i prapësueshëm në gjendjen e ekuilibrit: 2SO2 (g) + O2 (g) ↔ 2SO3(g). Tregoni nga cili kah do të zhvendoset ekuilibri nëse rrisim përqendrimin e O2

• Sipas parimit La Shatelie, rritja e përqendrimit të njërit prej reaktantëve, në rastin tonë rritja e përqendrimit të O2 do e zhvendos ekuilibrin djathtas duke favorizuar reaksionin e drejtë.

Ushtrimi 2: Jepet reaksioni në ekuilibër: Fe3+ + SCN ↔ [Fe(SCN)]2+. Joni [Fe(SCN)]2+ ka ngjyrë të kuqe karakteristike. Tregoni se në cilën anë zhvendoset ekuilibri nëse:
a) shtojmë tretësirë të FeCl3
b) ulim përqendrimin e SCN
c) zvogëlojmë përqendrimin e jonit [Fe(SCN)]2+

1. Sipas parimit La Shatelie, nëse shtojmë tretësirë të FeCl3, ekuilibri zhvendoset djathtas duke favorizuar reaksionin e drejtë (tretësira e FeCl3 përmban jonet Fe3+).

2. Sipas parimit La Shatelie, nëse ulim përqendrimin e SCN, ekuilibri do të zhvendoset majtas duke favorizuar reaksionin e zhdrejtë.

3. Sipas parimit La Shatelie, nëse zvogëlojmë përqendrimin e [Fe(SCN)]2+, ekuilibri do të zhvendoset djathtas duke favorizuar reaksionin e drejtë.

Ushtrimi 3: Në reaksionin e mëposhtëm: PCl5 (g) ↔ PCl3 (g) + Cl2 (g), tregoni nëse mund ta rrisim përqendrimin e PCl3 nëpërmjet rritjes së përqendrimit të Cl2.

• Jo, ne nuk mund ta rrisim përqendrimin e PCl3 nëpërmjet rritjes së përqendrimit të Cl2, sepse do të prishet ekuilibri kimik dhe do të zhvendoset majtas duke sjellë bashkëveprim të PCl3 me Cl2. Kjo sjell zvogëlim të përqendrimit të PCl3.

Ushtrimi 4: Jepet reaksioni: 2NO + O2 ↔ 2NO2.          ∆H < 0
Nga do të zhvendoset ekuilibri nëse:
a) ulim përqendrimin e NO2
b) rrisim temperaturen
c) ulim trysninë
d) rrisim përqendrimin e O2.

1. Nëse ulim përqendrimin e NO2, ekuilibri do të zhvendoset djathtas duke favorizuar reaksionin e drejtë.

2. Nëse rrisim temperaturën, ekuilibri do të zhvendoset majtas duke favorizuar reaksionin e zhdrejtë.

3. Nëse ulim trysninë, ekuilibri zhvendoset majtas duke favorizuar reaksionin e zhdrejtë.

4. Nëse rrisim përqendrimin e O2, ekuilibri do të zhvendoset djathtas duke favorizuar reaksionin e drejtë.

Ushtrimi 5: Për reaksionin: H2 (g) + I2 (g) ↔ 2HI (g), nga do të zhvendoset ekuilibri nëse rrisim trysninë?

Që faktori trysni të ndikojë në sistemin në ekuilibër duhet të plotësohen dy kushte:
1. Në sistem të kemi substance të gazta.
2. Numri i moleve në te dy anët e ekuilibri të jetë i ndryshëm.

Mqs, në rastin tonë numri i moleve të substancave të gazta është i njëjtë, ekuilibri nuk do të zhvendoset.

Shihni dhe

24. Eteret – Teori, Formula dhe Ushtrime të Zgjidhura | Kimia për Maturën Shtetërore

Eteret Eteret përmbajnë C, H, O. Janë izomerë strukturorë me alkoolet. Formula e përgjithshme e …

12Vite.com

– Kursi i plotë i “Matematikës” me 50 orë mësimore video të regjistruara, nga 5000 LEK, ju e përfitoni për 3500 LEK për ditët e mbetura para vitit të ri shkollor! (së bashku me testet)