Projekt – Piktura, poezia e heshtur.
Arti barok
Shekulli XVII ose e quajtur ndryshe “Epoka Barok” është një periudhë e cila të sjell menjëherë ndërmend periudhën e viteve 1600 deri në gjysmën e viteve 1700 dhe është një etapë e rëndësishme në historinë e zhvillimit të kulturës së Europës Perëndimore.Kjo periudhë është vazhdimi i ndryshimeve dhe i zhvillimeve historike, kulturore, artistike.Në shekullin XVII përfundoi kalimi nga perceptimi poetik i botës në metodat shkencore të njohjes së realitetit, ndërsa zhvillimi i shkencave natyrore dhe ekzakte, shërbeu si shtytje e drejtpërdrejtë të formimit të ideve shoqërore përparimtare, në luftë me rrymat idealiste të reaksionit kishtar.Shekulli XVII, ishte një shekull i vështirë, i zjarrtë dhe njëkohësisht epoka e përplasjeve në Europën Perëndimore. Ky nuk është vetëm një shekull në numërimin e shekujve por është një periudhë ndryshimesh.
Në fillimet e tij,prejardhja e termit barok nuk ishte e qartë,dihej vetëm përkthimi nga gjuha italiane që do të thotë i çuditshëm, i ngatërruar, i stërholluar. Mund të thuhet, që baroku nuk përfaqëson në vetvete vetëm një stil artistik, por edhe një mënyrë të veçantë të marrëdhënies me botën. Ky stil është i lidhur me krizën e idealeve të humanizmit, lëkundjet politiko – shoqërore që ishin karakteristikë për shekullin XVII.Për mentalitetin e njeriut të barokut ndjenjat që e karakterizonin ishin turbullimi dhe konfuzioni, ndjesia e botës kontradiktore, lumturisë së paqëndrueshme, gjithëfuqia e fatit dhe e rastit. Lindja e barokut lidhet së shumti edhe me Kundër Reformën që u përhap më shumë në vendet katolike. Ngjarjet e stuhishme të së kaluarës dhe luftërat e ashpra fetare, e kishin rrënuar dhe shkatërruar Europën ku vetëm Roma i shpëtoi tronditjeve fetare. Kisha katolike mbeti e fortë, ndërsa idealet kryesore të kishës në këtë periudhë ishin: mundimi, vegimi dhe vdekja. Këto ide nuk mund të ekzistonin vetëm në bazë racionale,atyre duhej patjetër t’u shtohej një emocion i fortë,përshtypjet e besimtarëve dhe të kishin një ndikim të fortë në çdo person tjetër. Me këtë ngarkesë të fortë emocionale duhet të skaliteshin jo vetëm gjendjet mistike të angazhimit në të fshehtat fetare por edhe ndjenja solemne e fitores së kishës mbi reformatorët e saj.Për këtë arsye,fillimisht,baroku lindi në artin fetar, para së gjithash në arkitekturë, pastaj gradualisht baroku kaloi nga arkitektura në skulpturë, pikturë, muzikë dhe forma të tjera të artit.Krijimtaria e shumë artistëve tregon që baroku ka depërtuar edhe në jetën laike, duke e çliruar ate nga tematikat fetare dhe duke konfirmuar qe baroku ekzistonte si nje mentalitet i veçantë në kontekstin e kulturës së shekullit XVII. Në punët e artistëve të kesaj kohe,”fryma fetare u zhduk pa u vënë re” nga arti.Stili i barokut me një mprehtësi të veçantë pasqyron krizën e humanizmit, ndjesinë e jetës jo harmonike. Baroku si stil jetese ishte karakteristikë, më së shumti për oborrtarët,rrethet aristokratike, por edhe në popullin e thjeshtë u huazuan disa nga nuancat e këtij stili, të cilat u pasqyruan në disa nga rregullat dhe normat e sjelljes të tyre.
Barok: Fjala barok vjen nga portugalishtja “barocco”,fjalë që përdorej për të emërtuar një perlë që nuk ishte krejtësisht e rrumbullakët.